Vjollca Robelli, rikthehet pas më shumë se një dekade

Shpërndajeni & Komentojeni
Prishtinë, 1.06.2017
Ritme të muzikës tradicionale, jazz, rock e muzikë e vjetër shqiptare, u sollën në një koncert të vetëm. Dhe atë përmes katër këngëve. Rikthyen në skenë këngëtaren kosovare Vjollca Robelli-Mripa, e cila tash e 15 vjet jeton në Londër. Autorja e hitit “Ajo”, të realizuar në vitin 2002, performoi para publikut kosovarë të martën mbrëma.Koncerti i saj i shkurtër është paralajmërim për albumin e saj. “Zare”, kënga e njohur e Tefta Tashkos, e aranzhuar dhe e përpunuar nga Robelli-Mripa, hapi koncertin, i cili gjatë tërë mbrëmjes u përcoll me pamje në projektorin në sfond. Ishin imazhe nga disa fshatra të Kosovës, dhe do të përmblidhen në një dokumentar, që Robelli-Mripa e ka realizuar me një regjisor gjerman.Pikërisht këto pamje përcollën edhe këngën e saj të dytë, “Burrnesha”, të cilën ajo e ka shkruar dhe kompozuar vetë. Kjo këngë po ashtu do të jetë pjesë e albumit të saj. Në koncert nuk mungoi as hiti i saj “Ajo”. Publiku iu bashkëngjit në interpretim, e herë me duartrokitje.
Si për të treguar aftësitë e saj vokale, koncertin e përmbylli me këngën “Moj e bukura more”. Kjo këngë arbëreshe, për dallim prej dy të parave erdhi tamam në origjinal. Edhe një herë publiku u bë pjesë e performancës. Robelli-Mripa në skenë u ngjit me Aram Zarikian në bateri dhe Danny Rico në sint. Violinisti kosovar Festim Fanaj ishte aty për t’i dhënë shpirt tradicional këngëve të saj, derisa instrumentistët anglezë për të sjellë modernen. Pikërisht këtë gërshetim Robelli-Mripa mëton ta
sjellë në albumin e saj të ri. Rikthimi në skenë pas një dekade e gjysmë, ka bërë që ajo të ndihet më e sigurt dhe e vendosur në rrugëtimin muzikor që ka vendosur ta vazhdojë. Një rrugëtim që e kishte lënë në gjysmë pas shkuarjes në Londër, për shkak të angazhimeve familjare. Por gjithmonë me idenë se një ditë do t’i rikthehet muzikës.
“Ka qenë një kohë e gjatë që nuk kam qenë në skenë”, ka thënë Robelli-Mripa fill pas koncertit. “Normalisht isha pak e shqetësuar se si do të kalojë, por si kam dalë në skenë e kam parë reagimin e publikut. Dashnia ishte e madhe nga të dyja anët dhe me të vërtetë u kënaqa. Ishte kënaqësi të kthehem në këtë mënyrë pas 15 vjetësh”, ka shtuar ajo, tek ka treguar për këngët që solli në koncert.

(Artikull i huazuar nga Koha.net)

Video burimi: Express (KTV): Vjollca Robelli - intervistë + performanca


Tags: ,

0 comments:

Post a Comment

Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i materialeve tona, pa leje paraprake.
Të nderuar lexues. Ju mund të komentoni lirisht, mjafton të mos përdorni fjalë fyese, që nxisin urrejtje mbi baza kombëtare, racore, gjinie apo fetare.

 
}
Copyright © Telekomuna | Designed by Templateism.com